Britania e Madhe dhe Franca kanë nënshkruar një marrëveshje për uljen e imigracionit të paligjshëm përgjatë Kanalit Anglez. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman nënshkroi marrëveshjen në Paris të hënën me kolegun e saj Gérald Darmani. Marrëveshja parashikon forcimin e kontrolleve, e një prej qëllimeve kryesore është parandalimi i hyrjeve ilegale të njerëzve të ardhur nga Shqipëria. Sipas të dhënave britanike, prej Shqipërisë vijnë rreth një e treta e migrantëve që kalojnë nëpër këtë kanal. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me aktivitetet e bandave kriminale shqiptare, që kontrollojnë kampet e refugjatëve në veri të Francës dhe të cilët organizojnë kalime ilegale, thuhet në Londër. Vetëm këtë vit ilegalisht përmes këtij kanali kanë kaluar më shumë se 41.000 imigrantë ilegalë, që është më shumë se gjatë gjithë vitit të kaluar, dhe më shumë se kurrë më parë ndonjëherë.
Por këtë vit është shtuar dukshëm edhe numri i të ardhurve nga Shqipëria në Britani të Madhe. Sipas të dhënave britanike, prej majit deri në shtator, në Britani të Madhe kanë ardhur 11.000 shtetas të Shqipërisë, që është një numër shumë më i madh krahasuar me vitin 2020, kur kishin ardhur 815 qytetarë nga Shqipëria.