Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka njoftuar të martën se në Kosovë janë dërguar trupa shtesë për të garantuar siguri, pas tendosjeve të fundit dhe largimit të serbëve nga institucionet, përfshirë edhe policët sebë në veri. Tensionet janë rritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin për targat ilegale serbe.
Ndërsa pala serbe ka reaguar me largim nga të gjitha institucionet e Kosovës. Janë larguar edhe policët në veri. Pala serbe kërkon të anulohet vendimi për targa dhe të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e Kosovës ka refuzuar këto kërkesa.
Si pasojë, Bashkimi Evropian ka vendosur të forcojë trupat e EULEX-it dhe të shtojë praninë në Veri të Kosovës. Në Kosovë kanë zbarkuar krabinierë italianë, e ka konfirmuar Borrel në Twitter.
“Në këto kohëra të tensionuara në Kosovë, misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit EULEX përmbush detyrën që ka për të garantuar stabilitet: Forca Evropiane e Xhandarmërisë, pjesë e Karabinierëve, zbarkoi sonte që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që ta mbështesë një ambient të sigurt” , ka shkruar Borrell.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka thënë se gjendja është tensionuar pasi Serbia s’e ka pranuar planin franko-gjerman. Sipas tij, Kosova e ka pranuar si hap të mirë në drejtim të duhur.
Ndërkaq në Beograd e akuzojnë Kosovën që “po tregohet jokonstruktive“, shpesh herë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka akuzuar Prishtinë që “është duke përgatitur spastrim etnik”, pa ofruar asnjë provë.
Më 21 nëntor përfundon faza e fletqortimeve dhe fillon ajo e gjobitjes 150 euro për çdo serb që nuk i ka targat e konvertuara në RKS.
Lista Serbe ishte zotuar që ”gjoba e parë e dhënë për një serb do të pasojë me rezistencë”.
Për rezistencë folën edhe të dielën gjatë një proteste në Veriun e Kosovës para statujës së Car Lazarit. Nga aty politikanët serbë tregonin sesa “komuniteti i tyre është i diskriminuar”.