Drejtësia vonon ndoshta, por nuk harron kurrë, të paktën në rastet e krimeve të luftës. Ndaj askush që ka bërë krime në Luftën e Dytë Botërore, në luftën e Kosovës apo në ndonjë luftë tjetër, nuk duhet të flejë i qetë dhe i sigurt.
Kështu dëshmohet të paktën në rastin e fundit në Gjermani: Më shumë se 76 vjet pas përfundimit të regjimit nazist, një ish-sekretare e kampit të përqendrimit u nxor në gjyq në Schleswig-Holstein.
96-vjeçarja kishte ikur në prag të seancës së parë, por policia e ka gjetur pas 19 ditësh dhe e nxori para dy ditësh para trupit gjykues, ku ajo në heshtje dëgjoi një akuza monstruoze.
Në prani të rreth 50 gazetarëve dhe shikuesve, 13 prokurorëve dhe ndihmësprokurorëve, si dhe trupit gjykues, 96-vjeçarja u paraqit me shami në kokë dhe me maskë, në një karrige për invalidë.
E akuzuara duket më e re
Por pak pas daljes së fotografëve nga salla, një mjek ia hoqi shaminë të pandehurës. Reporterët bëjnë të ditur se ajo dukej shumë më e re se 96 vjeç.
„Po“, u përgjigj shkurt, në pyetjen e kryesuesit të trupit gjykues, Dominik Gros, nëse mund ta kuptonte atë se çfarë po fliste. Më pas ajo konfirmoi të dhënat e saj personale.
Në aktakuzë thuhet se Irmgard F. ka bashkëpunuar në vrasjen e 11.380 personave dhe në tentativë vrasjeje të shtatë të burgosurve të tjerë. Ajo ka punuar prej 1 qershorit 1943 deri më 1 prill 1945 në selinë e kampit gjerman të përqendrimit Stutthof afër Danzig.
Ajo fajësohet si bashkëpërgjegjëse për vrasjen sistematike të të burgosurve, tha prokurori Maxi Wantzen. Si punonjëse civile në shërbim të trupave SS, ajo regjistroi, renditi ose hartoi të gjitha letrat nga komandanti i kampit Paul Werner Hoppe në atë kohë.
Si rezultat, ajo ishte në dijeni për të gjitha ngjarjet në kamp dhe për llojet e vrasjeve në çdo detaj. Në momentin e krimit, gruaja ishte e moshës 18 deri në 19 vjeç, njofton Diaspor Today. Kjo është arsyeja pse procesi zhvillohet para një dhome për gjykimin e të rinjve
Ajo dëgjonte aktakuzën në qetësi
Wantzen përshkruan sesi rreth 300 të burgosur u vranë individualisht, me një goditje plumbi në kokë. Disa herë janë futur në dhoma me gaz rreth 25 deri në 35 gra dhe janë vrarë. Ekzekutimet kanë vazhduar edhe në vende të tjera.
Prej nëntorit të vitit 1944 e më pas, të paktën 10.000 të burgosur kanë vdekur nga tifoja. Ndërsa drejtuesit e kampit me vetëdije nuk bënë asgjë për t’i shpëtuar. Të burgosurit e tjerë janë detyruar t’i djegin trupat në krematorium.
E akuzuara i dëgjoi me vëmendje akuzat. Në heshtje. Avokati i saj Wolf Molkentin tha se në klientja në këtë moment nuk do të përgjigjet në asnjë pyetje.
Më pas ai tha se nuk ka pikë dyshimi se në këtë kamp në Stutthof janë bërë vrasje mizore të tmerrshme. Klientja e tij ka qenë në “rrethe të caktuara” dhe ajo kurrë nuk e mohon Holokaustin. Nuk i mohon as krimet e tmerrshme të cilat i dëgjuam në aktakuzë“, shpjegon Molkentin. Por ajo e mohon përgjegjësinë e saj për këto krime.
Procesi kundër 96-vjeçares do të vazhdojë me 26 tetor.