Kancelari gjerman Olaf Scholz u takua sot në Berlin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në një konferencë të përbashkët për media, Scholz theksoi se bisedimet e tyre ishin shumë konstruktive dhe produktive. Temat kryesore të takimit ishin lufta në Ukrainë, dialogu Kosovë-Serbi, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, bashkëpunimi mes këtyre dy shteteve dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe Procesi i Berlinit.
Kancelari gjerman theksoi se Kosova, si dhe tërë Ballkani perëndimor, ka perspektivë evropiane. Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë e Procesit të Berlinit dhe shtoi se në gjysmën e dytë të vitit do t’i ftojë të gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor përsëri në Berlin për një takim tjetër. Më parë ai do t’i vizitojë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, e në veçanti edhe Kosovën.
Scholz tha gjithashtu se „Gjermania dhe Kosova janë të ndërlidhura ngushtë mes vete, ndër tjerash edhe për shkak të 400 mijë shtetasve të Kosovës që jetojnë këtu.“ Duke folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi se marrëveshja mes dy vendeve do të sillte stabilitet në rajon. Ndërsa BE dhe Gjermania janë të gatshme të ofrojnë kornizën për arritjen e kësaj marrëveshjeje mes dy shteteve. Kancelari gjerman theksoi se Gjermania e ka njohur Kosovën, se e ka mbështetur procesin e njohjeve dhe se do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova e ka dënuar ashpër agresionin rus në Ukrainë dhe shtoi se „ngjarjet që janë duke ndodhur sot në Ukrainë, Kosova i ka përjetuar 23 vjet më parë në kohën e regjimit gjenocidial të Sllobodan Millosheviqit“. Duke folur për bashkëpunimin rajonal, ai theksoi se Kosova mbështet aktivitetet në kuadër të Procesit të Berlinit, por nuk mbështet procese të tjera. Kurti nuk e përmendi sakt, por në këtë mënyrë ai edhe këtu në Berlin kundërshtoi idetë për Open Balkan, duke thënë se idetë e tjera jashtë Proceit të Berlinit, e çojnë këtë rajon drejt Lindjes.
Kur është fjala për dialogun me Serbinë, Kurti tha se Kosova angazhohet për njohje reciporoke mes dy vendeve dhe se kjo çështe duhet të jetë në qendër të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri Kurti shtoi se nga Gjermania kërkoi të mbështesë liberlizimin e vizave. „Në korrik bëhen katër vite kur BE konstatoi se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave. Pra, tani është koha që edhe BE t’i liberalizojë vizat, tha Kurti. Në këtë kontekst, kancelari Scholz zu shpreh se Gjermania e mbështet këtë proces dhe se do të angazhohet me partnerët që kjo çështje të zgjidhet. Më pas kancelari Scholz u takua edhe me presidentin serb Vuçiq, e Kurti dhe Vuçiq u takuan në darkë me ndërmjetësin e BE Miroslav Lajçak. Ata u dakorduan që dialogu të vazhdojë me 13 maj.