Çfarë e pret Evropën në shtator: Rritja e çmimeve, inflacioni dhe kufizimet

Çmimet në eurozonë janë rritur si asnjëherë më parë. Ndërsa në shtator pritet inflacion dyshifror. Në korrik rritja e inflacionit në Eurozonë ishte 8,9 përqind krahasuar me verën e vitit 2021. Në Gjermani dinamika e rritjes është paksa më e zbutur nga ndërhyrja e shtetit duke shënuar kuotën e 7,5 për qind. Por pavarësisht skontos për çmimin e karburantit dhe aplikimit të abonesë mujore prej 9 eurosh për shërbimin e qarkullimit urban, në shtator duhet të rriten edhe pagat. Shumë sektorë të shërbimeve – si p.sh. floktoret do të detyrohen që koston e energjisë ta reflektojnë me rritjen e çmimit për shërbimet. Këtyre u shtohen edhe shlyerjet e detyrimeve të kostove të objekteve për vitin në vazhdim gjatë vitit të ardhshëm, kur qiramarrësit të dërgojnë faturat për vitin 2022. Pra definitivisht nuk ka shenja për përmirësim.

Edhe çmimet e prodhimit (çmimi që një prodhues kërkon për produktin e tij, si p.sh. fermeri nga tregtari) do të rriten ndjeshëm. Ekspertët që kishin parashikuar, se shtrenjtimi i kostove në planin vjetor do të ngadalësohej, tani e kanë kuptuar që janë gabuar. Shtrenjtimi është me rreth 37,2 përqind pas një rritjeje rreth 32,7 përqind në qershor, pra kemi një diferencë prej 5,3 përiqnd rritjeje në harkun kohor të një muaji. Arsyeja kryesore ka të bëjë me rritjen e fuqishme të kostos së energjisë, që krahasuar me një vit më parë është rritur 105 për qind. Gazi natyror është 164 për qind më i shtrenjtë se një vit më parë, energjia elektrike 125 për qind më e shtrenjtë dhe çmimi për produktet minerare është rritur gati 42 për

Cani Travel

qind. Këto janë faktorët kryesorë.

Nëse i kalkulon të gjitha këto së bashku, rezulton që rritja e çmimit të produkteve është plot 14 për qind. Kjo është një kuotë e lartë e rritjes, por tendenca megjithatë është konstante, mendon Ralph Solveen, ekspert i koniunkturës në Commerzbank. Kjo për faktin se lëndë të para të caktuara si p.sh. çeliku kanë shënuar rënie të çmimit. Kjo le të kuptohet se me gjasë në muajt e ardhshëm është arritur piku. Ai e vlerëson këtë si „një sinjal të parë të moderuar, që gjatë vitit të ardhshëm sërish mund të ketë një kuotë pak më të ulët të rritjes së çmimeve.“

Ekonomistët gjithësesi llogarisin me një rritje të mëtejshme të çmimeve, me nëntë për qind ose edhe më shumë. „Por kjo nuk do të thotë, se e gjitha ishte vetëm një shpërthim kalimtar,“ paralajmëron Solveen. „Ne parashikojmë më shumë, se kuota e inflacionit pas kësaj do të mbetet e qendrueshme mbi dy për qind, pra do të kemi edhe më tej një fazë inflacioni të lartë.“ Një inflacion që do të vazhdojë ta tejkalojë stabilitetin e çmimeve që po ndjek Banka Qendrore Evropiane (EQB). Ky objektiv ka prioritet të lartë, thuhet vazhdimisht nga përfaqësuesit e bankës së rezervave.

BQE në korrik për herë të parë që prej njëmbëdhjetë vjetësh e rriti sërish normën orientuese të interesit. Për seancën tjetër vëzhguesit llogarisin me hapin pasues, me gjasë rritjen sërish me rreth 50 pikë bazë.

Edhe qytetarët duhet të përgatiten për rritjen aktuale të çmimeve të produkteve për konsumatorin. Në korrik rritja e çmimeve për ushqimet ishte me 21 për qind krahasuar me një vit më parë. Këtë rritje prodhuesit do t’ua pasojnë konsumatorëve me rritjen e çmimit të shitjes. Një gjë e tillë jo gjithmonë bëhet me transparencë, vëren Qendra e Mbrojtjes së Konsumatorëve në Hamburg. Sepse gjithnjë e më shumë prodhues përdorin truke: Ata zvogëlojnë përmbajtjen brenda ambalazhimit, pra shesin më pak sasi me të njëjtin çmim. Kjo dukuri quhet shrinkflacion në anglisht. Këtë dukuri e hulumton prej vitesh Armin Valet nga Qendra e Mbrojtjes së Konsumatorëve në Hamburg. E pikërisht tani janë shtuar ankesat e konsumatorëve. Sepse rritja e çmimeve kamuflohet dhe rritja faktike është rreth njëmbëdhjetë deri në 33 për qind.