Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq premtoi se serbët do të fillojnë me heqjen e barrikadave. Informacioni u bë i ditur pas një takimi me serbët nga veriu i Kosovës në qytetin Rashkë, ku kishte shkuar edhe Vuçiqi, pas shpalljes së gatishmërisë për luftë të ushtrisë dhe policisë serbe. „Ky është një proces i vështirë. Do të zgjasë një periudhë.“ Barrikadat janë ngritur prej 19 ditësh në veriun e Kosovës. Serbët filluan me ngritjen e barrikadave pas arrestimit të një ish-polici serb, Dejan Pantiq, i cili është i dyshuar për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Panti është liruar ndërkohë në arrest shtëpiak.
Ndërkohë nga veriu bëhet e ditur edhe për djegin e dy kamionëve në barrikada, por nuk dihet kush i ka djegur. Tensionet u ashpërsuan pasi Serbia vendosi ushtrinë në gjendje të lartë gatishmërie dhe Kosova mbylli të mërkurën pikën kufitare Merdare, pika më e madhe kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA, NATO, BE u shprehën të mërkurën të shqetësuara për zhvillimet në veriun e Kosovës dhe kërkuan vetëpërmbajtje dhe gatishmëri për dialog. Edhe qeveria gjermane u shpreh e shqetësuar për zhvillimet në veri dhe kritikoi retorikën nacionaliste të Serbisë. Ajo u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat dhe të kthehen në institucionet e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christoph Burger, tha në konferencën e rregullt për shtyp në Berlin: „Jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. Barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës duhet të hiqen sa më shpejt.“