PE: Nga 2035 do të regjistrohen vetëm automjete elektrike të reja

Parlamenti i BE-së vendosi: Nga viti 2035 do të licencohen vetëm automjete pa emisione gazrash të dëmshme.

Automjetet elektrike duhet të karikohen në shtylla të posaçme, që duhen instaluar në rrugët e qyteteve dhe pika të tjera furnizimi jashtë qyteteve në autostrada. E ardhmja për Bashkimin Europian është e qartë: Karikim i automjetit në shtyllat me elektricitet, benzina dhe nafta dalin jashtë loje.

PE miratoi ligjin për të lejuar në qarkullim nga viti 2035 vetëm automjete të reja, që nuk dëmtojnë klimën. Rruga drejt neutralitetit ndaj klimës në qarkullimin rrugor mbetet megjithatë e diskutueshme. Edhe për pasojat, që do të ketë ky ligj ndaj industrisë europiane të automobilëve, mendimet janë të ndryshme.

Cani Travel

Shumica e deputetëve – socialdemokratët, ekologjistët dhe libealët – u shprehën për heqjen faktikisht nga qarkullimi të motorëve me djegie. Klima do të mbrohet dhe varësia nga furnitorët e lëndëve fosile duhet të minimizohet.

Për përdoruesit e automjeteve kalimi tek makinat elektrike ka avantazhe të tjera. „Ne presim, që makinat neutrale ndaj klimës të jenë me çmim më të leverdishëm. Ne duhet të ofrojmë makina me kosto të përballueshme për blerësit. Kostot e përdorimit të makinës me elektrik edhe sot janë më të ulëta se ato të automjeteve me motor me djegie të brendshme“, tha Jan Huitema. Shumë deputetë konservatorë, ndër ta nga Gjermania me industrinë e saj të madhe të automjeteve, e kritikuan ligjin, duke argumentuar se në fakt ky ligj i ndalon makinat me motor me lëndë djegëse. Alternativë ndaj automjeteve elektrike, si p.sh. ato me lëndë djegëse sintetike që është po ashtu e përshtatshme për mjedisin, do të bëhen të pamundura në të ardhmen.

Ligji mund të bëjë, që pas vitit 2035 në qarkullim të ketë vetëm automjete të vjetra të licecuara prej kohësh që lëvizin me lëndë djegëse. Automjetet e reja të këtij lloji nuk do të jenë më në dispozicion, ose do të kushtojnë tepër shtrenjtë. Fraksioni kristiandemokrat bën thirrje, që edhe motorët me djegie të brendshme me lëndë sintetike, që prodhohen me efekt neutral ndaj klimës, të kenë një shans. Por në PE u vendos me shumicë votash që prej 2035 të mund të regjistrohen vetëm makina të reja që nuk e dëmtojnë klimën.