Gratë në Gjermani fitojnë në orë gati një të pestën më pak se burrat. Por edhe brenda Gjermanisë ka dallime në pagesën e grave
Gratë në Gjermani ende marrin rroga mesatarisht më të ulëta për një orë pune sesa burrat. Në vitin 2022 gratë kanë fituar mesatarisht 20,05 euro në orë, që do të thotë 4,31 euro ose rreth 18 % më pak se meshkujt (të cilët mesatarisht për një orë punë në Gjermani paguhen 24,36 euro). Në të njëjtën kohë, siç raportohet nga Enti Federal i Statistikave, diferenca në të ardhurat në pjesët lindore të Gjermanisë është aktualisht shtatë përqind, që është një dallim me pjesët perëndimore të vendit, ku gratë paguhen 19 për qind më pak se burrat për të njëjtën punë.Gratë punojnë shpesh në profesione ku pagat janë më të ulëta
Për shkak të ndryshimit të metodologjisë së llogaritjeve statistikore, këto të dhëna nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me ato të viteve të mëparshme. Por në një krahasim afatgjatë është i mundur dhe ai dëshmon se dallimi i rrogave mes grave dhe burrave vitet e fundit është zvogëluar. Në fillim të këtyre matjeve, në vitin 2006, dallimi mesatar në rroga ka qenë 23 %.
Shkaqet për pagesa më të ulëta
Dallimet shfaqen kryesisht sepse gratë kanë më shumë gjasa se burrat të punojnë në profesione dhe në nivele ku pagat janë më të ulëta. Në të njëjtën kohë, ato punojnë më shpesh me orar të shkurtuar, gjë që shoqërohet me një pagë mesatare bruto më të ulët për orë pune. Këta faktorë shpjegojnë deri në 63 për qind të rasteve të diferencave në paga. Edhe pse dallimi i rrogave mes grave dhe burrave vitet e fundit është zvogëluar, ende ka pabarazi
Pjesa e mbetur prej 37 për qind e diferencës në fitime, siç thuhet, „nuk mund të shpjegohet me karakteristikat e disponueshme në modelin e vlerësimit.“ Shtatë për qind janë raste kur ka një ndryshim edhe nëse kualifikimet dhe përvoja e punës janë të ngjashme.
„Kufiri i sipërm“ për diskriminimin në pagë
„Mund të supozohet se dallimet do të ishin më të vogla, sikur të kishte më shumë informacione mbi faktorët që ndikojnë në pagat, si informacioni për ndërprerjet e karrierës për shkak të shtatzënisë, lindjes ose kujdesit për të afërmit. Kjo do të jepte ndoshta një pjesë të shpjegimeve”, thonë përfaqësuesit e Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë. Prandaj këto të dhëna duhet të kuptoihen si „kufiri i sipërm i diskriminimit në rroga“.