Portugalia kërkon t’i japë fund “vizës së artë” për të pasurit nga vende jo europiane. Zyrtarisht kjo bëhet për shkak të gjendjes kritike në tregun e banesave. Por edhe sepse BE ka kohë që bën presion.
Portugalia aplikoi që nga viti 2012 dhënien e vizës së artë për të tërhequr investitorë në vend 500.000 euro për një lejeqëndrimi në zonën europiane të Shengenit ka qenë oferta e qeverisë portugese për të huajt e pasur, bërë që prej vitit 2012. Kjo ofertë është pranuar nga 12 mijë investitorë, që i kanë siguruar vetes dhe familjes së tyre hyrjen në Europë. Tani “programit të vizave të arta” të Portugalisë, do t’i vijë fundi edhe për shkak të presionit që ushtron Bashkimi Europian. Kryeministri António Costa, ka bërë të ditur se programi do të mbyllet më 16 mars.
„Është mirë që Viza e Artë po hiqet, ajo nuk duhet të ishte futur asnjëherë,” thotë e gëzuar ish-deputetja socialiste, Ana Gomes, e cila e ka luftuar këtë program që nga fillimi. “Ato kanë qenë ftesë për të larë para dhe i kanë mundësuar organizatave kriminele dhe terroriste që të futen në zonën e Shengenit legalisht.“ Më shumë se gjysma e kërkesave kanë ardhur nga vende, ku rreziku për larje parash është i lartë, dhe Portugalia nuk është kujdesur kurrë për burimin e parave të atyre që bëjnë kërkesën.
Biznese të mira për tregtarët e pasurive të patundshme
Kur filloi programi, që u bë për të nxitur ekonominë e Portugalisë, e cila ishte në gjendje të keqe, ai u përdor kryesisht për bizneset e pasurive të patundshme: Në vend që të përdorej për të krijuar ndërmarrje të reja dhe vende të reja pune, ai u përdor kryesisht nga kinezë të pasur që blenë banesa luksoze në Lisbonë dhe rrethinapasuar nga brazilianët, turqit, afrikano-jugorët dhe rusët.
Nga rreth shtatë miliardë eurot e marra, 90 përqind e tyre shkuan për blerjen e banesave. Vetëm 22 viza u dhanë për krijimin e vendeve të punës, mësohet nga shifrat e policisë për të huaj, SEF. Rezultati: vetëm 280 vende të reja pune në gjithsej dhjetë vjet program.
Megjithatë, Hugo Santos Ferreira, kryetar i shoqatës portugeze të pasurive të patundshme, e kritikon ndërprerjen e e lejeqëndrimeve “të arta”: “Kjo është ndërhyrje ndaj investitorëve të huaj, që duan t’i investojnë paratë e tyre në Portugali. Portugalia kështu nuk është më e besueshme dhe humbet reputacionin si vend me kushte të favorshme për investime.“ Portugalisë i duhen më shumë investitorë të huaj për të forcuar ekonominë e saj, ajo nuk mund të heqë dorë nga ky instrument i rëndësishëm, që i sjell vendit më shumë se 600 milionë euro çdo vit.”
„Përveç kësaj programi ka krijuar mijëra vende pune në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme,” thotë Santos Ferreira.
Krizë banesash dhe pastrim parash
Por pikërisht këtu qëndron problemi: Vitet e kaluara çmimet e pasurive të patundshme janë rritur shumë në Portugali, sidomos në dy qytetet më të mëdha në Lisbonë dhe Porto. Kjo edhe për shkak të programit të Vizave të Arta edhe sepse gjithnjë e më shumë qytetarë të BE-së blejnë banesa dhe shtëpi në Portugali me çmime që portugezët nuk janë më në gjendje t’i paguajnë. “Sidomos në segmentin më të lartë të tregut, Vizat e Arta kanë shkaktuar rritje të madhe të çmimit të pasurive të patundshme,” thekson ish- deputetja europiane, Ana Gomes.
Një argument, të cilin e përdor edhe qeveria për të argumentuar dhënien fund të Vizave të Arta. Ky është pretekst, thotë Gomes, sepse përgjegjëse për dhënien fund të programit të vizave janë kritikat gjithnjë e më të ashpra të BE-së, për programin portugez të vizave. Sidomos për burimin shpesh të dyshimtë të parave të atyre që bëjnë kërkesën për vizë. Sidoqoftë, që me fillimin e luftës në Ukrainë, rusët e kanë pasur të ndaluar të investojnë në Portugali. Ata janë përjashtuar nga programi i Vizave të Arta. Por vendet si Kina ose Vietnami, nuk karakterizohen nga transparenca, thotë ish-deputetja europiane, Gomes. Kurse Hugo Santos Ferreira, president i shoqatës së pasurive të patundshme, mendon se të gjitha transaksionet që bëhen me Portugalinë kontrollohen mirë. Dele të zeza ka kudo, por kjo nuk është arsye për të hequr Vizat e Arta: „Askush nuk thotë që të mbyllen bankat, megjithëse është e njohur se edhe atje mund të pastrohen para.”
Çfarë do të bëhet me ata që kanë marrë vizat?
Megjithëse Santos Ferreira shpreson ende që qeveria të kthejë mendje momentin e fundit dhe të vazhdojë me Vizat e Arta mbase në një formë tjetër, duket se në Porgutali i ka ardhur fundi biletës 500 mijë euroshe të hyrjes në zonën e Shengenit. “Programi ka qenë thjesht jo transparent dhe i rrezikshëm,“ thotë Ana Gomes. Mbetet të shihet çfarë do të ndodhë me ata që kanë marrë vizën. Thuhet se lejeqëndrimi i tyre do të zgjatet nëse ata jetojnë vërtet përherë në Portugali. DW