Mjekët në Bonn i shpëtuan jetën 15-vjeçares nga Kosova

Mjekët në Klinikën Universitare të Bonit i shpëtuan jetën ditë më parë vajzës 15-vjeçare nga Kosova, Adea Çerkini. Adea vuante nga një defekt i lindur në zemër, të cilin tashmë e kanë mënjanuar kardiologë nga Klinika Universitare e Bonit, Farhad Bakhtiary dhe Boulos Asfour, shkruan gazeta gjermane General Anzeiger. 

Procedura komplekse kirurgjike e ndjekur në këtë rast ishte e para e këtij lloji në botë. Vetë operacioni ka zgjatur vetëm dy orë e gjysmë. Asfour dhe Bakhtiary arritën në arterien kryesore përmes një aksesi të vogël midis dy brinjëve. Ata punonin vetëm me mjetet më të vogla nëpërmjet ekraneve dhe orientoheshin me kamera brenda.

Cani Travel

Ndërhyrja e mjekëve të Bonit është unike në botë. Bakhtiary ka punuar me endoskop gjatë këtij operacioni të ri dhe nuk i ka hapur vajzës të gjithë gjoksin, siç ndodhte zakonisht dhe siç kishte ndodhur edhe me Adean, më parë. Sepse kjo do të kishte qenë një barrë e madhe për 15-vjeçaren.

Defekti në zemër e ka shoqëruar Adean gjithë jetën e saj të deritahsme. Mjekët e quajnë atë një defekt të plotë atrioventrikular septal (AVSD). Defekte të tilla të zemrës përbëjnë vetëm rreth tre për qind të të gjitha defekteve të lindura të zemrës. Gjysma e fëmijëve të prekur kanë sindromën Down, si Adea. Nëna e Adeas, Shqipe Çerkini thotë se nuk ka fjalë me të cilat mund të shprehë mirënjohjen e saj për mjekët e Bonit.  “Adea ka tani perspektivën për të bërë një jetë normale“, thotë Shqipe Çerkini.