Në Bruksel fillon sot (29.06.2023) takimi dyditor i i Këshillit të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet edhe për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ky takim mbahet 20 vjet pas Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Situata e tensionuar në veri të Kosovës do të jetë me siguri një nga temat e rëndësishmë të debatit. Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, në fillim të javës në Luksemburg, u arrit marrëshveshja që BE të marrë masa ndëshkruese ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shënojnë përparim në shtensionimin e situatës. Siç bëhet e ditur, fjala është për masa politike dhe financiare.
Në prag të samitit në Bruksel, kancelari gjerman Olaf Scholz kërkoi realizimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, ai përmendi nevojën që të gjithë të kontribuojnë në shtensionimin e situatës, të mbahen sa më shpejt zgjedhjet në komunat serbe në Kosovë me një pjesëmarrje të lartë dhe të zbatohet pjesa e marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave Serbe.