Për një kohë të gjatë një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë thonë se kanë mbetur pa adresë. Nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve kjo shihet si një problem politik.
Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, tha se pasivizimi i adresave është një proces administrativ përmes së cilit qeveria aktuale dhe në vazhdimësi qeveritë që nga 2012 po tentojnë ta ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
‘Në mënyrë me drastike është reflektuar dhe është zbatuar në Medvegje, sepse edhe zgjedhjet e fundit edhe regjistrimi i vitit të kaluar dëshmojnë se në Medvegjë janë mijëra qytetarë shqiptarë me pak sesa kanë qenë. Pra një spastrim etnik me masa administrative cilin po e krijon qeveria e Serbisë para syve të Bashkimit Evropian”, tha ai.
RTK ka kontaktuar edhe institucionet kompetente në Serbi, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje. Më parë zyrtarët serbë thanë se nuk ka fshirje të organizuar të adresave të shqiptarëve, vetëm se po zbatohet Ligji për Vendbanim. Pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve, organizatat joqeveritare kanë reaguar.
Marko Millosavleviq, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, tha se abuzimi me mekanizmin ligjor të pasivizimit të adresave është problem akut, dhe treguesit janë veprimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila, sipas ligjit për vendbanim dhe vendqëndrim, kontrollon në mënyrë shumë selektive adresat.
„Kjo çon në humbjen e të drejtave të shtetësisë, dhe këta persona pastaj nuk gëzojnë një katalog të madh të të drejtave“, tha ai.
Edhe pse më herët, Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Beogradit që t’i ndalojë të gjitha praktika diskriminuese dhe të fillojë hetim mbi akuzat për pasivizimin e adresave, përfaqësuesit e shqiptarëve nuk besojnë në ndonjë rezultat të shpejtë, sepse, sipas tyre, përveç kritika nga ndërkombëtarët, nuk ka zgjidhje konkrete.
(RTK)