Pasiguri në komunitetin mysliman në Gjermani – një ndjenjë e përzier e shqetësimit, frikës dhe madje e zemërimit po rritet. Prej vitesh komunitetet myslimane në Gjermani marrin letra kërcënuese, disa pak të tjera i drejtohen kishave. Në fillim të gushtit një letër anonime mbërriti në komunitetin mysliman në Osnabryk. Policia e qytetit, sipas zëdhënësit Matthias Bekermann, thekson, se bëhet fjalë në radhë të parë për „shpifje kundër personave privatë nga zona e Osnabrykut.“ Deri tani policia është e mendimit, se përzgjedhja e të adresuarve është e pavarur nga „përkatësia fetare“, tha Bekermann i pyetur nga Deutsche Welle.
Letra të tjera në mbarë Gjermaninë
Kjo mund të vlejë për disa raste në Osnabryk, por edhe në pjesë të tjera të Saksonisë së Poshtme, Hesen, Bavari e Berlin xhamitë kanë marrë në vitet e kaluara disa letra kërcënuese. Numri i përgjithshëm i letrave anonime duhet të jetë më i lartë se sa duhet. Sipas informacioneve të Deutsche Welles komunitetet myslimane e informojnë policinë, por nga ana tjetër heqin dorë nga vëmendja mediatike. Edhe përfaqësues të caktuar nga shoqatat myslimane marrin letra kërcënuese, madje aty përmenden pjesërisht edhe anëtarë të familjes dhe fëmijë minorenë.
„Kërcënimi i komuniteteve myslimane nuk është i ri“, shprehet Burhan Kesici, kryetar i Këshillit Islam për Republikën Federale të Gjermanisë. Edhe më parë ka pasur letra kërcënuese. Por atëherë ishte e dukshme që letrat vinin nga një person i vetëm, nganjëherë edhe me nënshkrim. Ndërkohë komunitetet myslimane marrin më shpesh letra kërcënuese. Jo rrallë aty bëhet lidhje me terrorin dhe NSU. (një organizatë kriminale e ekstremit të djathtë që vrau disa persona me origjinë të huaj në Gjermani, shën.red.). „Kjo të bën të pasigurtë“, sipas Kesici. „Dhe është demotivuese. Sepse nuk mund të bësh gjë kundër saj.“
Sipas të dhënave të policisë nga letrat e dërguara që nga viti 2018, 18 kanë lidhje përmbajtësore me grupin ekstremist të djathtë, NSU, Ilegaliteti nacionalsocialist. Anëtarët e këtij grupi vranë mes viteve 2000 dhe 2007 9 sipërmarrës të vegjël migrantë dhe një police. Seria e vrasjeve mbeti për një kohë të gjatë e paqartë. Vetëm në vitin 2011 autorët u zbuluan.
Pikërisht lidhja me terrorin e NSU i bën shumë myslimanë në Gjermani të pasigurtë, thotë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Qendror Mysliman, Abdassamad El Yazidi, për Deutsche Wellen. „Që këto letra i referohen NSU, tregon se autorët i shohin ideologët e tyre me të njëjtin qëndrim i shohin si modele, ata duan të ringjallin veprat terroriste antinjerëzore të NSU dhe i himnizojnë ata.“
Pasiguri dhe zhgënjim
Pasiguria duhet parë në një kontekst më të gjerë. Konferenca e Islamit e thirrur në fund të vitit 2006, dhe në raundin e pestë nuk gjen vëmendjen e duhur. Në fund të qershorit 2023 një grup ekspertësh të pavarur pas një pune 3 vjeçare paraqiti një raport të gjerë për armiqësinë ndaj myslimanëve në Gjermani, në të cilën konstatohej një fenomen i gjerë. Ndër 20 rekomandimet për qeverinë bënte pjesë krijimi i një Këshilli të rregullt të ekspertëve si edhe emërimi i një të ngarkuari federal për luftimin e armiqësisë ndaj myslimanëve. Por deri tani asgjë nuk është bërë. „Nuk është trajtuar asnjë nga 20 rekomandimet e këshilit të ekspertëve“, kritikon Yazidi. „Ne myslimanët diskriminohemi rregullisht, sulmohemi në shoqëri, por nuk kemi një të ngarkuar për jetën myslimane, si tek komunitetet e tjera, ku prej kohësh kjo është standard. Na nevojitet një i ngarkuar i tillë që e vendos gishtin në plagë.“
Duhet të vendosen forca policie para xhamive? Zëdhënësi Bekermann nuk shprehet konkretisht. Masat përshtaten me situatën aktuale gjithmonë, por nuk ka të dhëna, që dalin përtej një gjendjeje të rrezikimit abstrakt. Por disa përfaqësues të xhamive në Saksoninë e Poshtme kërkojnë me urgjencë prezencë të dukshme policore. Xhami të tjera kujdesen vetë për masa mbrojtëse, të tjera emërojnë vetë një të ngarkuar sigurie.
Krei i Këshillit Islam, Kesici e shikon me dyzim një mbrojtje konkrete të xhamive. Kujt i duhet të kalojë anash policëve për të hyrë në shtëpinë e zotit mund të ndodhë që të trembet më shumë. Kurse kreu i Këshillit Qendror Mysliman, Yazidi kërkon më shumë solidaritet shoqëror. „Natyrisht presim mbrojtje nga autoritetet e sigurisë në një rast konkret rreziku“, por „ajo që presim më shumë para rritjes së racizmit antimysliman është më shumë solidaritet, më shumë empati, më shumë angazhim për normalizimin e jetës myslimane në Gjermani dhe përfshirje të myslimanëve dhe komuniteteve të tyre e angazhimit të përgjithshëm shoqëror në shoqërinë tonë gjermane.“
(DW)