Gjermanët të shqetësuar për situatën në Lindjen e Mesme

Shumica e gjermanëve janë shumë të shqetësuar për situatën në Lindjen e Mesme, treguan rezultatet e sondazhit të fundit ‚ARD-DeutschlandTrend.’

74% e të anketuarëve thanë se janë shumë të shqetësuar për shkak të ngjarjeve në Lindjen e Mesme, kurse 22% thanë se nuk janë tepër të shqetësuar, ose nuk shqetësohen fare.

Gjermanët konsiderojnë se Hamasi është përgjegjës kryesor për situatën në Gaza. Tre të katërtat e personave të anketuar (77 për qind) mendojnë se Hamasi është plotësisht përgjegjës ose kryesisht përgjegjës për gjendjen aktuale.

Kur është fjala për përgjigjen ushtarake të Izraelit ndaj sulmit të Hamasit, të anketuarit shprehën vlerësime të ndryshme. 43% e të anketuarëve konsiderojnë se përgjigja ushtarake e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit ishte adekuate ose e pamjaftueshme, ndërsa 41% e të anketuarve konsiderojnë se reagimi i izraelitëve „shkoi tepër larg“.