Seanca e Kuvendit të Shqipërisë zgjati vetëm pesë minuta. Në rend të ditës ishte Projektbuxheti për vitin 2024, por në sallën e kuvendit kishte përsëri tym, rrëmujë dhe flakë.
Opozita e vijoi protestën e saj, grumbulluar sërish karriget në foltore duke ndezur tymuese, njëra prej së cilave mori flakë. Flaka u fik nga punonjësit e Gardës.
Deputetët e opozitës kundërshtuan vendosjen e Gardës në Kuvend, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha hyri live në Facebook, raporton Top Channel.
“Buxheti i vjedhjes më të madhe të tyre, buxheti i gjobës ndaj shqiptarëve, i shpërdorimit, i rrugëve të cilat kushtojnë 12 mln euro kilometri, buxheti i ppp-ve. Sot në parlament janë 1340 gardistë brenda në ambientet përreth, Renea-s dhe forcat speciale. Opozita do të qendojë e pamposhtur në mbrojtje të të drejtave legjitime për të hetuar qeveritarët hajdutë që me vendimet e tyre kanë vjedhur dhe do vijojnë të vjedhin”, tha Berisha.
Megjithatë, maxhoranca në Parlament miratoi sot me 73 vota pro, buxhetin e vitit 2024.