Në Universitetin e Regensburgut është hapur dega e studimeve të gjuhës shqipe, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin. Universiteti i Regensburgut është tani universiteti i tretë në Gjermani, pas atij Ludwig-Maximilians-Universität München dhe Universität Jena që ofrojnë studime të gjuhës shqipe.
Kjo është një mundësi unike për të gjithë studentët, që janë të interesuar për studimin e gjuhës shqipe dhe për të thelluar njohuritë e tyre të një prej gjuhëve më të vjetra evropiane e me një histori të pasur dhe një kulturë të veçantë.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së degës së gjuhës shqipe në Regensburg.
„Ishte një kënaqësi që për nder të hapjes së studimeve shqiptare në Universitetin e Regensburgut, të mbaja një ligjëratë për profesorët dhe studentët e këtij universiteti dhe të bashkëbisedonim mbi prioritetet e Republikës së Kosovës në fushën e politikës së jashtme kulturore. Përkrahja ndaj gjuhës shqipe si një opsion studimi në universitetet të tilla do të vazhdojë të mbetet prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës“, ka shkruar ambasadori i Kosovës në Gjermani.