Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore të re, ku thuhet se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo rregullore hyn në fuqi nga 1 shkurti i këtij viti.
Në rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se „valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro.“
BQK-ja ka dhënë sqarim edhe për valutat e tjera që gjenden në Kosovë.
„Valutat e tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor“, thuhet në rregullore.
Në komunat me shumicë serbe përdoret dinari serb si valutë për pagesa. Dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe „Posta e Serbisë“ e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat „Postanska stedionica“ dhe „NLB Komercijalna banka“.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se „njoftimi i Prishtinës për heqjen e dinarit në Kosovë ështe shqetësues dhe vë në pikëpyetje të gjitha proceset e deritashme.“