Kurti: „Demonstratat e ’81-shit – revoltë kundër diskriminimit  të shqiptarëve“

Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë, ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike, ka shkruar sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Facebook.

“Këto ditë bëhen 43 vite prej demonstratave të vitit 1981, të cilat filluan më 11 mars të atij viti. Pas një revolte spontane për kushte më të mira në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 4 mars, një javë më pas, u organizua demonstrata e parë masive e një serie të tillash, që në histori kanë hyrë si ‘Demonstratat e ’81-shit’”, ka shkruar Kurti, duke kujtuar përvjetorin e këtyre demonstratave.

Cani Travel

Ai tutje ka shtuar se demonstratat e vitit 1981, e nxorën parullën popullore “Kosova Republikë”, që për vite do të vazhdonte të shkruhej edhe si shkurtesë “KR”, nëpër mure e rrugë. “Ajo prodhoi një gjeneratë të re të aktivistëve politikë që vetvetiu do ta merrte emrin ‘Brezi ‘81’. Shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999”, ka theksuar Kurti.