Edhe një vrasje e gruas në Kosovë

Sot është vrarë edhe një grua në Kosovë nga bashkëshorti i saj. Në fakt, dyshohet se dorasi ishte bashkëshorti. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi. I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes.

Gruaja e vrarë sot në Pejë quhet Gjyljeta Ukelli.  E ndjera Gjyljetë per dy dekada punoi si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

Cani Travel

Bashkëshorti e qëlloi gruan dy herë me armë zjarri në kokë në banesë, e ende nuk dihet se ku ndodheshin 3 fëmijët dhe cili ishte motivi i ngjarjes.

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, ka deklaruar se ky nuk ishte rasti i parë që çifti kishte probleme. Ai tha se autori është dënuar tre vite më parë, në 2021, me 400 euro gjobë për dhunë në familje.

Vrasja e sotme në Pejë ndodhi vetëm 4 ditë pas vrasjes së një gruaje po ashtu nga burri në Ferizaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vrasjen e sotme në Pejë e ka quajtur femicid që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Ajo bëri thirrje që të gjithë bashkë të angazhohen për ndaljen e vrasjeve te vajzave dhe grave në Kosovë.

“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë presidentja Osmani.

Presidentja u ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas lajmit të vrasjes së një gruaje në Pejë, ka ftuar në takim përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë e drejtësisë. Ajo ka thënë se dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse.

“Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim. Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas”, ka shkruar tutje ministrja e Drejtësisë.