Serbia ka ndaluar dhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka bërë të ditur se autoritetet serbe kanë ndaluar sot 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovë, ndër ta edhe zëvendësdrejtorin e Policisë, Dejan Jankoviq. Pesë prej tyre tashmë janë liruar, kurse pesë të tjerë vazhdojnë të mbahen në nga autoritetet policore serbe.

Sipas MPB-së,  në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë nga ta janë liruar ndërsa pesë ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Zëvëndësdrejtorin Jankoviq”.

Cani Travel

Në një komunikatë për medie, MPB thotë se Serbia ka aktivizuar metodat e saj të hakmarrjes duke keqtrajtuar qytetarët, pas fitores së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Nga mëngjesi i hershëm janë targetuar autobusë dhe automjete që po transportonin qytetarët tanë nga perëndimi drejt Kosovës apo anasjelltas, duke i ndaluar ata, duke i’u konfiskuar dokumentet personale dhe duke i intervistuar pa asnjë arsyetim paraprak. Qytetarët tanë janë mbyllur në zyret e autoriteteve të Serbisë me orë të tëra dhe nga persona të ndryshëm janë intervistuar për pjesëmarrjen apo lidhjet e tyre eventuale me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo me luftën në Kosovë.

Ky akt i Serbisë duke i’u ndaluar lëvizjen dhe duke i maltretuar për mbi 20 orë qytetarët tanë pa dallim moshe dhe gjinie, shkelë çdo normë njerëzore e mbi të gjitha është shkelje flagrante e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë nga MPB bëjnë me dije se që nga mëngjesi i sotëm është duke u mbajtur në ndalim pa asnjë sqarim edhe zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb Dejan Jankoviq dhe katër zyrtarë të tjerë policor.

“Sipas informacioneve që posedojmë, zëvëndësdrejtori Jankoviq është dërguar në Rashkë dhe duke njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policor, i njëjti intervistohet nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë“, thuhet në kumtesën e MPB-së.