Kancelari gjerman, Olaf Scholz, zhviloi dje një bisedë telefonike kryeministrin Albin Kurti, ku ka kërkuar që të bëhen hapa konkretë nga Kosova për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra Federale e Kancelarisë së Gjermanisë thuhet se Scholz theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Për këtë bisedë telefonike ka shkruar edhe Kurti, i cili me anë të një postimi në platformën X ka thënë se shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën.
“Në një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti.