Gjermani: Ndërroi jetë polici i plagosur në Mannheim

Polici 29-vjeçar ndërroi jetë dje në spital pasi ishte plagosur rëndë nga sulmi me thikë në sheshin e tregut në Mannheim të Gjermanisë.

Sulmi ndodhi të premten gjatë një demonstrate të një organizate me qëndrime kritike ndaj islamit.  Policia po ruante një miting të lëvizjes kritike ndaj islamit, Pax Europa kur agresori sulmoi 6 vetë, mes tyre edhe policin.

Cani Travel

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Autori i sulmit, një 25 vjeçar afgan që ka ardhur në Gjermani në vitin 2014 është ende i paaftë për t’u marrë në pyetje. Ai u qëllua nga policët gjatë sulmit.

Vdekja e policit shkaktoi shkumë reagime në Gjermani.

Presidenti gjerman, Frank- Walter Steinmeier shprehu shqetësimin e tij, duke theksuar se „dhuna rrezikon atë që e ka bërë demokracinë tonë të fortë.“ Steinmeier tha se është i brengosur për shkak të  brutalizimit të ballafaqimit politik dhe rritjen e gatishmërisë për dhunë në Gjermani.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz u shpreh i tronditur pas humbjes së jetës të policit. „Më trondit thellësisht, që nëpunësi i guximshëm i policisë pas sulmit në Manhaim ndërroi jetë nga lëndimet“, shkroi Scholz në platformën X. „Angazhimi i tij për sigurinë meriton nga të gjithë ne mirënjohjen më të madhe. Jam në këto orë të hidhura në mendime tek familja e tij dhe të gjithë ata që mbajnë zi për të.“