Rritet numri i turistëve në Shqipëri

Lulëzimi i turizmit në Shqipëri vazhdon edhe në muajin e pestë të këtij viti, kur në territorin e vendit hynë mbi 973 mijë të huaj.

Në total, në janar-maj, numri i të huajve regjistroi shifrën mbi 3.3 milionë apo 38.2% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Cani Travel

Instituti i Statistikave publikoi lëvizjen e shtetasve ku thuhet se gjatë muajit maj 2024, në territorin shqiptar hynë 1.606.520 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Ky tregues ka shënuar rritje me 30,6%, krahasuar me maj 2023. 1.615.862 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 30,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ksamili dhe Saranda duket se edhe këtë vit janë në krye të listës sa i takon rezervimeve individuale teksa Durrësi dhe më pak Vlora qëndrojnë në krye të rezervimeve te organizuara.

Pritet se viti 2024 do të jetë një tjetër vit historik sa i takon vizitorëve të huaj që vitin e shkuar kaluan 10.5 milionë.