Policia serbe ndaloi mbajtjen e festivalit ”Mirëdita, dobar dan!”, i cili është planifikuar të hapet sot në Beograd.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë urdhër që të ndalohet tubimi publik ‘Mirëdita, dobar dan!” për shkak të rrezikut për cenimin e sigurisë së njerëzve dhe të pronave prej prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më mëdha”, citohet të ketë thënë ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Policia e Serbisë, ka ndaluar ekipin e Kosovës të “Mirëdita, dobar dan!” drejt Beogradit. Pjesëtarë të stafit organizativ dhe mediash, nuk janë lejuar të vazhdojnë drejt kryeqytetit serb, ku sonte ishte paraparë hapja e edicionit të 11-të të festivalit.
“Kemi urdhër të mos ju lejojmë të hyni në Beograd”, ka qenë deklarata e policit, 25 kilometra pa arritur në destinacion.
Festivali ”Mirëdita, dobar dan!” mbahet që nga viti 2014 në Prishtinë dhe Beograd dhe kjo është hera e parë që ai ndalohet. Gjithmonë ka pasur protesa në Beograd, por festivali nuk është ndaluar.
Këtë vit, zyrtarët e Serbisë, si dhe organizatat djathtiste në Serbi janë duke zhvilluar që disa javë një fushatë të ashpër kundër këtij festivali me arsyetim se „ai është i drejtuar kundër interesave dhe sigurisë së njerëzve në Serbi“.
E përditshmja e Beogradit Danas, ka raportuar se grupe huliganësh janë mbledhur në Beograd për të mos lejuar mbajtjen e këtij festivali. Edhe tifozët e klubit “Crvena Zvezda” kanë bllokuar vendin ku planfikohej të mbahet festivali.
Në njoftimin e tifozëve të këtij klubi thuhet: “Mirëdita Serbi! Në Dorcol Plac sot do të tentojnë ta mbajnë ‘festivalin’ Mirdita, që promovon Kosovën e pavarur. Kemi ardhur që në mënyrë të qetë të mos lejojmë mbajtjen e tij në kryeqytetin serb. Këtu do të jemi gjithë ditën derisa të sigurohemi që ky ‘manifestim’ nuk do të mbahet”, shkruan në njoftimin e këtyre tifozëve.