Vdes kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare

Është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit në moshën 88-vjeçare shkrimtari Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare dhe autor i shumë veprave dhe poemave të përkthyera në shumë gjuhë të botës, njofton RTSH.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe në karrierën e tij ka qenë akademik, politikan  dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Cani Travel

Kadare është shquar për prozat e tij, por kontribuoi edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. 

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.