Sot shënohet 34 vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Në atë ditë historike, Kosova ishte shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënoi hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.
Kjo deklaratë i parapriu Kushtetutës së Kosovë e miratuar me 7 shtator 1990 në Kaçanik.