Në një intervistë për CNN, Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për t’i larguar bazat ushtarake përreth kufirit me Kosovën.
„Serbia dhe Rusia janë të ngjashme për shkak të interesit të përbashkët të tyre për t’i zgjeruar territoret e tyre“, theksoi Kurti në intervistën e tij të përbashkët me ish-gjenerali i NATO-s Wesley Clark për CNN.
Kryeministri Kurti ka thënë se Serbia është një fqinj shumë agresiv dhe e pret një mundësi për t’u futur në Kosovë, prandaj sipas tij një gjë të tillë duhet ta parandalojnë partnerët perëndimorë.
“Fqinji ynë Serbia është shumë agresiv ndaj Kosovës, fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur. Krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi. Ka 48 baza operative përreth kufirit duke pritur për një dritare mundësie. Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila ka 50-150 ushtarë. Nëse flasim nga aspekti politik, Serbia është e ngjashme me Federatën Ruse. Ata nuk njohin de facto dhe de juro fqinjët e tyre sepse ata duan zgjerim”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës shtoi se është i shqetësuar sepse në interesin e Kremlinit është që të përhapë konflikte të tjera në Evropë përmes bashkëpunëtorëve të tij. Dhe Serbia në Ballkan është shtet hegjemonist dhe njëkohësisht bashkëpunëtore e Rusisë”, ka shtuar Kurti.
Edhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, paralajmëroi për rrezikun e një konflikti të ri në rajon për shkak të veprimeve të Serbisë si përfaqësuese e interesave ruse.