Policia e Kosovës mbylli dje nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të vendit. Këtë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai tha se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Mbyllja e objekteve është dënuar prej Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë, por edhe nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.
SHBA-ja i ka quajtur këto vendime si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
„Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë. SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Edhe Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, si një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili sipas BE-së shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”,theksohet në komunikatën e zyrës për mediat të BE-së..