Që nga 29 gushti kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi periudhën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, 2,700 persona kanë aplikuar për t’u regjistruar për të votuar qoftë fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike apo përmes postës.
Nga ky numër i kërkesave, 2,442 janë aprovuar, ndërkaq vetëm 258 të janë refuzuar.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri paraditën e datës 13 shtator 2024, janë pranuar 2,700 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 2,442, ndërsa 258 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Ai ka shtuar se numri më i madh është për votimin me postë.