Prishtinë: Fillon gjykimi ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës filloi sot seanca gjyqësore në rastin e sulmit terrorist në Banjskë që ndodhi një vit më parë. Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngrituar më 11 shtator aktakuzën kundër 45 personave, duke përfshirë edhe Millan Radoiçiqin. Shumica prej tyre janë të paarritshëm për sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.

Cani Travel

Në seancën e sotme dëgjimore janë paraqitur vetëm tre persona të dyshuar që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Në sallë janë prezentë edhe familjarët e të dyshuarve.  Seanca e sotme ka zgjuar një interesim të madh të mediave të vendit dhe atyre ndërkombëtare.