Inflacioni mesatar në shtator në Gjermani ka qenë vetëm 1.6% që është inflacioni më u ultë që nga shkurti i vitit 2021, e në uljen e inflacionit më së shumti ka ndikuar ulja e çmimeve të energjisë.
Sipas Entit të Statistikave, inflacioni ka rënë edhe në krahasim me gushtin, sepse në gusht norma e inflacionit ishte 1.9 për qind. Më së shumti janë rritur çmimet e shërbimeve me një mesatare prej 3.8 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërsa çmimet e ushqimeve janë rritur mesatarisht me 1.6 për qind. Ekspertët parashikojnë se ulja e inflacionit do të vazhdojë edhe më tutje. Në raportin e tyre të vjeshtës të botuar së fundmi, institutet kryesore ekonomike në Gjermani kanë vlerësuar se çmimet e konsumit do të rriten me 2.2 për qind për vitin aktual, pra për vitin 2024. Ndërsa inflacioni në vitin e kaluar ka qenë 5.9 për qind.
Në vitin 2025 pritet një inflacion prej rreth 2.0 për qind, vlerësojnë ekspertët dhe shtojnë se inflacioni më nuk është ndër kërcënimet më të rëndësishme për ekonominë gjermane.