Gjermani: Gjykata e Këlnit ndalon deportimin e predikuesit salafist në Kosovë

Gjykata Administrative e Këlnit ka ndaluar tani për tani deportimin e planifikuar të një predikuesi salafist, nga Boni në Kosovë. Ai ka shfrytëzuar të drejtën për të kundërshtuar, përmes një kërkese urgjente dhe është konstatuar se ka të drejtë, njofton agjencia gjermane e lajmeve, dpa.

Gjykata e Këlnit vendosi se qyteti i Bonit nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme që predikuesi përbënte një kërcënim për rendin themelor demokratik.

Cani Travel

Propaganda për salafizmin – një lëvizje radikale në Islam – nuk mjafton si e tillë, për një dënim të tillë (dëbimin), shkruan dpa.de.

Personi ndodhet në paraburgim në pritje të dëbimit që nga fillimi i shtatorit. Qyteti i Bonit e kishte akuzuar atë ndër të tjera për përhapjen e propagandës së urrejtjes në internet.

Mirëpo, bazuar në provat e paraqitura, gjykata nuk ishte në gjendje të konstatonte se i dyshuari kishte sulmuar shtetin kushtetues demokratik, përtej thjesht përkatësisë së tij salafizmit politik.

Në bazë të gjetjeve të paraqitura, nuk mund të përcaktohet se personi mbështet terrorizmin. As mbi këtë bazë nuk mund të vërtetohet se ai vetë ka bërë thirrje publike për dhunë apo urrejtje, njofton dpa. Në këtë aspekt, termi “predikues urrejtjeje” nuk zbatohet. Burri ka edhe tre fëmijë të mitur me nënshtetësi gjermane.

Prandaj, Gjykata ndaloi deportimin e predikuesit salafist nga Boni.