Deputeti dhe raportuesi gjerman për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, ka deklaruar se përgjegjësit për sulmin terrorist të Banjskës duhet të dalin para drejtësisë. Hacker paralajmëroi gjithashtu se ai së bashku me delegacionin gjerman do ta diskutojnë këtë çështje me presidentin serb Aleksander Vuçiq në Beograd.
Ai tha se është „e papranueshme që autorët e këtij sulmi të mos përballen me drejtësinë“.
„Është e vështirë të besohet se presidenti i Serbisë Vuçiq nuk ka ditur asgjë për atë operacion”, tha Hacker, i cili shtoi se duke pasur parasysh pushtetin dhe kontrollin që ka Vuçiq në Serbi, ai me siguri ka qenë i informuar për këtë sulm.