Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron për vizitë në Beograd, në takimin e radhës kushtuar Open Balkan, një ide të cilën e kanë nënshkruar ai, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë së Veriu, Zoran Zaev.
Rama është pritur në Beograd së pari nga ministri i Jashtëm Nikola Selakoviq. Në opinionin kosovar ai është bërë i njohur me dy deklarata në seancën e OKB-së për Kosovën, ku ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi e quajti „kasapi i Ballkanit“, ndërsa presidentes së tanishme Vjosa Osmani-Sadiu i tha se „duhet të ngrihet në këmbë“ kur përmendet emrin i „presidentit të saj Vuçiq“.
Më pas Rama dhe përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut janë pritur edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili ka shtruar edhe një darkë për miqtë e rajonit, njofton Diaspora Today.
“Mbrëmje e jashtëzakonshme me miqtë nga rajoni, Edi Rama, Zdravko Krivokapiq dhe Nikola Dimitrov”, ka shkruar Vuçiq.
“Ana Bërnabiq dhe unë i pritëm mysafirët tanë me verë të shkëlqyer serbe, të cilën ne guxojmë ta krahasojmë me verërat më të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e rajonit, e tërë rajonit”, shkruan Vuçiq.
Në këtë takim nuk ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i cili ka dhënë dorëheqje nga ky post pas rezultateve katastrofale në zgjedhjet lokale. Ndërsa për herë të parë ishte kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, i cili konsiderohet si i afërt me qëndrimet proserbe në këtë shtet.
Përfaqësuesit e Kosovës e kanë refuzuar deri tani këtë ide, sikur edhe përfaqësuesit e Bosnjë-Hercegovinës.