Kryetrajnerja e basketbollit të femrave të Washington State, Kamie Ethridge, ka njoftuar nënshkrimin me basketbollisten kosovare Astera Tuhina.
Gardianja 5-9 nga Prishtina e Kosovës ka nënshkruar një kontratë e cila parashikon që ajo të luajë për Cougars në fillim të sezonit 2022-23.
Tuhina vjen në Palouse, si lojtarja më e re e Kombëtares së Seniorëve të Kosovës. Ajo ishte edhe në ekipin e kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla 2021 në Qipro, ku Kosova zuri vendin e tretë, njofton Diaspora Today.
„Jam i emocionuar të njoftoj një tjetër shtesë në klasën tonë të rekrutimit 2022, Astera Tuhina,“ u shpreh Ethridge. „Babai i Asterës, Astrit Tuhina, ka qenë pjesë integrale në rritjen e basketbollit të të rinjve në Kosovë. Si fëmijë, ajo ka zhvilluar instinktet që nuk mund të mësohen. Ajo zgjodhi të largohej nga shtëpia në moshën 13 vjeç për të ndjekur mundësi më të mira basketbolli në Spanjë. Astera ka çdo gjë që duam në programin tonë. Ajo ka pasion, këmbëngulje, ashpërsi dhe një përpjekje të pamëshirshme për të bërë gjithçka që duhet që ekipi i saj të ketë sukses. Ajo është një lojtare e talentuar, mund të gjuajë për 3 pikë dhe është shumë kreative në lëvizjet e saj drejt koshit. Energjia me të cilën luan Astera është ngjitëse dhe tifozët tanë do ta pëlqejnë. Jemi të emocionuar që kemi fituar besimin e Asterës dhe familjes së saj. Ajo do të jetë një përforcim i shkëlqyer për familjen tonë Coug.“
Tuhina ishte gjithashtu anëtare e Kombëtares U-20 të Kosovës në evenimentin e FIBA U-20 për Women’s European Challengers 2021 në Shkup.
Në moshën 16-vjeçare, Tuhina bëri debutimin e saj në Ligën Elite të Basketbollit Spanjoll me Deportivo Promete. Tuhina ishte lojtarja më e re në listë, por megjithatë luajti në shtatë ndeshje në Spanjë.