„Me Ligjin e ri për zgjedhjet, mërgata kosovare do të ketë më shumë lehtësime për votim“, deklaroi sot (12.03.2023) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme së shpejti do të shqyrtohet në Qeveri për të marrë rekomandimet e ekzekutivit dhe do të procedohet në Kuvend për miratim.
Sipas fjalëve të kryeministrit të Kosovës, „ky draft ligj i jep fund një padrejtësi të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”, deklaroi Kurti. Ai shtoi se mërgata kosovare përbën rreth 1/3 të popullsisë së tërësishme të vendit. Ata janë të lidhur ngushtë me vendlindjen, japin një kontribut të madh ekonomik e politik si në të kaluarën, ashtu edhe tani, dhe meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë, tha kryeministri i Kosovës.
Kurti theksoi se „interesimi i mërgatës për vendlindje ka qenë gjithmonë më i lartë sesa pjesëmarrja në procese zgjedhore. Me ndryshimet sipas draft ligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për të qenë pjesë e vendimmarrjes”, tha Kurti.