A do të hetohen votat e diasporës?

Në KQZ është kërkuar që të hetohen votat e ardhura nga diaspora. Ka dyshime për manipulime.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani pretendon se i ka parë disa nga fletëvotimet që po ruhen në Ministrinë e Transportit dhe, sipas tij, duket qartë se „një numër të madh të tyre i ka plotësuar i njëjti person“.

“Në zgjedhjet e shkurtit kemi filluar numërimin për votat nga jashtë mandej me kusht. Kjo me qëllimin e vetëm të kemi qartësi. Është mirë të na sqarojë sekretariati. Sa i përket çështjes me votat nga jashtë për tre komuna Mamushë, Junik dhe Dragash janë dukshëm më të vogla. Prandaj edhe sot isha në Ministri të Transportit edhe i kam parë, duket qartë, që disa nga këto fletëvotime të dhënat aty i ka plotësuar i njëjti person. Prandaj këto kërkojnë një hetim dhe të verifikohen në qoftë se këta persona janë regjistruar. Është mëse e nevojshme që këto aplikime t’i nënshtrohen një verifikimi nga KQZ. Duhet të bëhet një hetim nga KQZ dhe të kemi një raport në bazë të qyteteve nga ku kanë ardhur ato”, deklaroi ai.

Cani Travel

Edhe Sami Kurteshi nga VV-ja e ka mbështetur këtë propozim.

“Prej tri komunave po na dalin në shumë. Një shumë aq e madhe e njerëzve konfirmojnë 0.3% që nuk kanë aplikuar. Për shkak që ka hajna të votave. Prandaj jam për t’u ndjekur procesi që të verifikohen”, deklaroi Kurteshi.

Verifikim të votave kërkoi edhe Florian Dushi nga LDK.

“Konsideroj se sekretariati e di kohën e numërimit të votave, nuk kam problem edhe nëse shtyhet. Ne si institucion nuk është mirë të merremi me spekulime që mund t’i gjejmë në media. Shqetësimet i kemi pasur që në periudhën e regjistrimit të votuesve. Jam pro asaj që sekretariati të zhvillojë krejt çfarë duhet në kuptimin e hetimit dhe konfirmimit të atyre zarfeve që kanë ardhur nga jashtë”, ka thënë Dushi.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretarit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm nga të gjitha komunat.

“Votat me kusht na merrin kohë, ndoshta pas dy ditëve do të mund të fillojmë me numërimin e tyre sepse na duhet mi regjistrua të gjithë votuesit e rregullt, pastaj votuesit me kusht dhe t’i bëjmë krahasimet e të gjithë votuesve të rregullt, me kusht dhe me postë në mënyrë që të kemi konfirmimin pastaj se cilët votues me kusht do të numërohet vota e tyre”, ka deklaruar ai.