Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Edi Rama, Gjermania, Turqia, dhe shumë vende të tjera kanë shprehur keqardhje të thellë pas aksidentit tragjik që ka ndodhur gjatë natës së kaluar në Greqi, ku 38 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së dy trenave. Tani për tani nuk ka informacione për përfshirjen e shqiptarëve në këtë aksident të tmerrshëm. Akoma nuk dihet si është e mundur që dy trena të gjenden në të njëjtën hekurudhë dhe të ndodhë kjo përplasje. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë aksionet për nxjerrjen e të plagosurve dhe viktimave. Ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për rastin.
Presidentja e Kosovës Osmani – Sadriu ka shprehur keqardhje të thellë për këtë aksident dhe i ka shprehur ngushëllime popullit dhe shtetit grek. Menjëherë kanë reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur ngushëllime për humbjen e jetëve: “Bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave”, shprehet Rama.
Ndërsa Ministria e punëve të Jashtme e Turqisë i shprehu ngushëllime popullit dhe qeverisë greke.
“Jemi të pikëlluar, pasi shumë njerëz humbën jetën dhe u plagosën në një aksident që ndodhi mbrëmë në Greqinë fqinje”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke, ku shprehen ngushëllime për familjet e personave që humbën jetën në këtë aksident tragjik, për popullin grek dhe qeverinë greke, ndërsa të lënduarve u urohet shërim i shpejtë.