Ambasada e Kosovës në Berlin shënoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Në një atmosferë solemne dhe festive, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin shënoi 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Me këtë rast u organizua një pritje zyrtare, ku ishin të pranishëm shumë mysafirë të shquar nga institucionet gjermane, duke dëshmuar miqësinë e ngushtë dhe tradicionale ndërmjet dy vendeve tona, njofton Ambasada e Kosovës në Gjermani.

Ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti foli për rrugëtimin e Kosovës, i cili nuk ka qenë i lehtë dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por edhe për suksesin e arritur të Kosovës gjatë këtyre 17 viteve, duke u bërë një shembull i demokracisë në rajon. Marrëdhëniet e ngushta dhe të shumëfishta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, vazhdojnë të zgjerohen dhe thellohen, tha ai.

Cani Travel

Në emër të Qeverisë Federale të Gjermanisë, Ministri i Bujqësise Cem Özdemir rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën, duke përgëzuar Kosovën për avancimin dhe zhvillimet pozitive të arritura gjatë këtyre viteve. Ai gjithashtu përshëndeti përparimin e Kosovës në forcimin e demokracisë dhe orientimin e saj të qartë euroatlantik.

Ceremonia u pasurua me një performancë muzikore të grupit „Ethnically Plugged“ nga Prishtina, dhe me ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”.