Asambleja Parlamentare e NATO-s ka votuar sot pro avancimit të statusit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova është tani anëtare e asociuar e kësaj organizate.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në mbledhjen e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi, por edhe kjo përpjekje e Serbisë dështoi, meqë shumica votoi për avancimin e statusit.
Kosova përfaqësohej si delegacion vëzhgues që nga viti 2014, e nga sot është anëtare e asociuar e kësaj organizate.
Presidentja e Kosovws, Vjosa Osmani reagoi menjëherë pas pranimit të Kosovës si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke thënë se NATO është fati i Kosovës.
“Mirënjohës për të gjithë anëtarët që votuan në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në atë të një anëtari të asociuar. NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në Tokë të dëgjohet”, ka thënë Osmani në platformën ‘X”.