Pas takimit dhe darkës së mbrëmshme joformale në Athinë të liderëve të Ballkanit Perëndimor u miratua edhe një deklaratë e përbashkët. Në këtë dokumet bëhet thirrje për rienergjizimin dhe rifokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Moldavinë e Ukrainën.
Në deklaratë shprehet mbështetje e palëkundur për pavarësinë e Ukrainës dhe kërkohet që krimet e Rusisë në Ukrainë të mos mbeten të pandëshkuara.
Në darkën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ishin të pranishëm të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, përveç atyre të Shqipërisë. Në darkë morën pjesë edhe Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Takimi i mbrëmshëm u mbajt 20 vjet pas Samitit të Selanikut, ku u premtua anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ky premtim ende nuk është realizuar.
Gjatë qëndrimit në Athinë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim miqësor me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai do të takohet sot edhe me Kryeministri e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.