Ndonëse Shqipëria po përjeton rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, një e treta e popullsisë jeton në varfëri relative me më pak se 5 dollarë në ditë. Banka Botërore bën të ditur se 30.8 % e popullsisë jeton në varfëri. Në prognozat e Bankës Botërore thuhet se deri në vitin 2023, numri i të varfërve nuk do të ulet tepër, sepse edhe në këtë vit 29.3 % e popullsisë së Shqipërisë do të jetojë me pak se 5 dollarë në ditë.
Sipas matjeve të Bankës Botërore Shqipëria ka nivelin më të lartë varfërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Banka bën të ditur se Kosova renditet e dyta për nga varfëria me 24.4 % të popullsisë së varfër. Serbia renditet e treta me 19.8%, Maqedonia e Veriut me 17.9% dhe Mali i Zi me 16%.
Ekonomitë e këtyre vendeve janë ndihkuar shumë negativisht edhe nga pandemia Corona, e cila i ka përmbysur arritjet e mëparshme në uljen e varfërisë.
Pandemia i ka futur në varfëri rreth 4,3 milionë të tjerë në 50 vende të Europës Qendrorë dhe Azisë. Ekonomia në shumë vende po rritet prapë, por kjo rritje nuk është gjithëpërfshirëse. Shumë persona vazhdojnë të dobësohen nga humbjet e vendeve të punës dhe puna me orar të shkurtuar, heqja e ndihmës ekonomike nga qeveria dhe inflacioni i lartë, veçanërisht për artikujt ushqimorë.
Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 17.9% në tremujorin e dytë të vitit 2021, por numri i të punësuarve në të njëjtën periudhe ishte 33 mijë më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Banka Botërore bën të ditur se pandemia do t’i përkeqësojë edhe më disa aspekte të ekonomisë, ndërsa efektet negative do të ndihen më së shumti tek më të varfrit, gratë, fëmijët, si dhe të rinjtë, emigrantët dhe punëtorët informalë.
Në parashikimet optimiste thuhet se varfëria në Shqipëri mund të vazhdojë rënien nën 30 për qind deri në vitin 2022.
Banka Botërore është e mendimit se në këtë drejtim mund të ndihmojnë edhe investimet private nëse Shqipëria vazhdon të zbatojë reforma dhe të përmirësoj klimën e biznesit dhe investimeve.