Kosova ka shënuar edhe një fitore ndaj Zvicrës në basketboll me rezultat 72:76. Kjo ndeshje u zhvillua mbrëmë (29.07.2023) në Zvicër dhe ishte sfida e tretë e ekipit të Kosovës në kuadër të Grupit H për fazën e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.
Deri në finishin dramatik, zviceranët ishin në epërsi. Dominic Artis ishte lojtari më efikas i Kosovës me 22 pikë, e ai realizoi edhe pikët vendimtare në fund të takimit që ia sollën fitoren Dardanëve.
Me këtë fitore, rriten shpresat për ekipin kosovar për ta fituar grupin dhe për të siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e rregullta.
Kosova ka dy fitore e një humbje në grup, Zvicra ka tri humbje dhe Danimarka dy fitore.
Ndeshja e ardhshme e Kosovës është kundër Danimarkës, më 5 gusht, në Prizren.