Letra e autoriteteve serbe drejtuar Bashkimit Evropian se Serbia nuk do ta njohë de facto Kosovën, ashtu siç i kërkohet, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat përcjellëse të saj ka ngritur shqetësim në BE. Kjo sepse me të bëhet i qartë moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e dakorduar në fillim të këtij viti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Për Bashkimin Evropian, marrëveshja e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, ajo cilësohet ligjërisht e obligueshme. „Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se „marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”. Kjo kërkohet nga deklarata e përbashkët nga takimi i fundjavës së shkuar i nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ku u tha se „BE-ja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. „U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratën në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
(DW)