Këshilli i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian ka hequr sot vizat për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.
“Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhet në komunikatën për shtyp nga takimi i sotëm.
Qeveria e Kosovës ka shprehur menjëherë zgënjimin e saj me këtë vendim të BE-së.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se janë të zhgënjyer me vendimin e marrë nga BE-ja dhe se pasaporta e serbëve e lëshuar nga Serbia vazhdon të mbetet ilegale.
Kadiu tha se “secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës”. Sipas tij, vendimi sotëm dëmton përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.