Këshilli Evropian miratoi sot Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në dy miliardë euro grante dhe katër miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.
Përveç kushteve të përgjithshme që duhet t’i plotësojnë vendet e Ballkanit Perëndimore lidhur me këtë plan, për Kosovën dhe Serbinë ka edhe parakushte të tjera, ku përfshihet progresi në Dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave, përfshirë edhe marrëveshjet e kaluara.
Këshilli Evropian ka bërë të ditur se parakusht për këto dy shtete është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si si dhe të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, dhe se ata angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.