Bashkimi Evropian ka publikuar Raportin për të drejtat e njeriut në gjithë botën, duke përfshirë edhe Kosovën. Në pjesën e raportit që ka të bëjë me Kosovën konstatohet se situata në veri mbetet sfiduese.
“Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket gjykimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medias. Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve pasuese ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet të reduktuar”, thuhet në raport.
Lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit theksohet se BE-ja vazhdon të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. „Ka pasur kriza të përsëritura në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 dhe situata në terren mbetet e brishtë”, thuhet në raportin e BE-së.