Gjermaninë e pret sonte një natë jashtëzakonisht e gjatë zgjedhore, sepse për momentin flitet për një garë jashtëzakonisht të ngushtë për vendin e parë. Ndaj nuk dihet fare se kush do ta pasojë kancelaren Angela Merkel në këtë post. Unioni CDU/CSU ka fituar sipas prognozave të para rreth 24,5% të votave, por ky është rezultati më i dobtë në historinë e zgjedhjeve parlamentarë në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore. Atmosfera në këto parti nuk është aspak e mirë, sepse këto parti kanë humbur shtatë përqind të votave, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Rreth 25,5 përqind të votave ka fituar sipas prognozave edhe partia SPD, e cila e ka përmirësuar rezultatin e zgjedhjeve të kaluara për rreth pesë përqind. Varësisht prej rezultateve përfundimtare, njëra prej këtyre partive do të ketë përparësi për krijimin e qeverisë. Në vendin e tretë janë ekologjistët me rreth 14,3%. Pasojnë liberalët me 11,5%, AfD me rreth 10,5 përqind si dhe e Majta me vetëm 5 %. Koalicioniet e mundshme qeveritare janë për momentin vazhdimi i koalicionit të madh CDU/CSU dhe SPD, por këtë nuk e do askush për momnetin. Pastaj CDU/CSU + ekologjistët + liberalët. Apo SPD + ekologjistët + liberalët. Por kjo varet nga rezultatet përfundimtare. Në zgjedhje morën pjesë 76,5% e rreth 60,4 milionë të votuesve. Për herë të parë kanë kandiduar edhe katër shqiptarë, por ende nuk dihet a do të futen në Bundestag.