Beograd: Policia shpërndan me dhunë protestuesit e opozitës

Forcat e policisë kanë shpërndarë mbrëmë demonstruesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në protestën e shtatë të opozitës serbe. Opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve në Serbi të mbajtura para një jave, me arsyetim se kishte mashtrime.

Në protestën e mbrëmshme u arrestuan 35 persona, kurse opozita akuzoi qeverinë për dhunë gjatë shpërndarjes së demonstruesve.

Cani Travel

Incidentet filluan kur përfaqësuesit e listës opozitare “Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në ndërtesën e Bashkisë së  Beogradit, në mënyrë që t’iu adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i objektit.

Ata shtyn derën, por nuk arritën të hynin, pasi u parandaluan nga policia.

Një pjesë e protestuesve thyen xhamat e dyerve dhe dritave të ndërtesës. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës.

Në vazhdim të tubimit, policia shpërndau protestuesit dhe arrestoi 35 persona.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu drejtua mbrëmë opinionit dhe tha se është mbajtur mbledhja e  Këshillit të Sigurisë për të diskutuar situatën, duke theksuar se trazirat ishin nxitur nga jashtë. Vuciq i quajti demonstruesit “banditë”, të cilët nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit dhe tha se “ky nuk është një revolucion”.

Për sot janë paralajmëruar protestat e studentëve në Beograd, të cilët do të bllokojnë për dy orë trafikun në qendër të qytetit.