Sot mbyllet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit „ITB Berlin 2024“ që ishte i hapur nga 5 marsi. Në këtë panair më të madh të turizmit në botë u prezantuan me shume sukses edhe Kosova dhe Shqipëria me oferta të tyre turistike.
Mundësitë turistike që i ofron Kosova, si bukuritë natyrore dhe atraksionet urbanistike, janë prezantuar nga pesë kompani turistike: Balkan Destination, Eurokoha, Superxplorers, Fibula Travel, Outdoor Kosovo.
Stendën e Kosovës në këtë panair e vizitoi edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, z. Faruk Ajeti, i cili shfrytëzoi rastin të diskutoi mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e turizmit me përfaqësuesit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Gjermanisë dhe pjesëmarrës tjerë në këtë panair.
Ofertën e pasur turistike e prezantoi edhe Shqipëria në stendën e saj. Në panair ishte prezente edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.